Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH me xhiron e 2026, sqarojnë ekspertët
Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë nga viti 2027 ngre pikëpyetje për regjistrimin e bizneseve të vogla.

Ekspertët fiskalë dhe audituesit ligjorë paralajmërojnë se ulja e pragut të patatueshëm për regjistrimin e biznesit të vogël në TVSH do të sjellë rritje të kostove dhe nuk garanton uljen e informalitetit.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën e zbatimit të masës dhe nëse bizneset që kanë realizuar mbi 5 milionë lekë xhiro gjatë vitit 2026 do të përfshihen automatikisht në skemën e TVSH-së nga 1 janari 2027, ndonëse gjatë vitit 2026 pragu ligjor ishte 10 milionë lekë. Debati përqendrohet te zbatimi në kohë i pragut të ri dhe nëse do të merret në konsideratë vetëm qarkullimi i realizuar nga 1 janari 2027 e në vijim, apo edhe xhiroja e vitit paraardhës.
Ekspertët: Regjistrimi në TVSH nuk duhet të jetë automatik për xhiron e vitit 2026
Konsulenti fiskal Artur Papajani tha për Monitor se mungesa e procedurave të qarta dhe e një dispozite kalimtare në aktin përkatës krijon hapësira për interpretime dhe pasiguri juridike për bizneset. Sipas tij, ekziston rreziku që nga 1 janari 2027 të regjistrohet në TVSH çdo person që ka realizuar qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026, megjithëse kufiri minimal i regjistrimit në atë periudhë ishte 10 milionë lekë.
“Ekziston rreziku që, nga data 1 janar 2027, të regjistrohet në TVSH çdo person që ka realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026. Sipas ligjit të TVSH-së, personi, qarkullimi i të cilit gjatë muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin minimal të regjistrimit, është i detyruar të kërkojë regjistrimin në TVSH brenda 15 ditëve nga data e kalimit të këtij kufiri. Deri më 31.12.2026, kufiri minimal ka qenë 10 milionë lekë, ndërsa nga data 1 janar 2027, kufiri minimal është 5 milionë lekë.
Data e hyrjes në zbatim të kufirit të ri nuk përcakton edhe regjistrimin automatik të personave që e kanë tejkaluar këtë shumë gjatë vitit 2026, pasi kufiri minimal ka qenë tjetër në vitin 2026 dhe tjetër është në vitin 2027. Nga ana tjetër, në aktin administrativ nuk rezulton të ketë një dispozitë kalimtare që të kërkojë shprehimisht regjistrimin, më 1 janar 2027, të gjithë personave që kanë realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026.
Mbi bazën ligjore në fuqi, regjistrimi në TVSH bëhet i detyrueshëm për bizneset që tejkalojnë qarkullimin prej 5 milionë lekësh përgjatë vitit 2027. Kjo nuk është thjesht një përshtatje teknike. Është një ndryshim thelbësor i politikës fiskale, që mund të përfshijë në regjimin e TVSH-së një numër të konsiderueshëm biznesesh të vogla. Për ta justifikuar këtë ndryshim, qeveria nuk arriti të paraqesë një analizë ekonomike të numrit të bizneseve të prekura, të ardhurave shtesë të pritshme, të kostove të administrimit dhe të ndikimit te çmimet”, pohon Papajani.
Julian Saraçi: Detyrimi lind vetëm pas tejkalimit të pragut të ri
Edhe audituesi ligjor Julian Saraçi ndan të njëjtin interpretim. Sipas tij, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë, me efekt nga 1 janari 2027, nuk sjell regjistrimin automatik të bizneseve që kanë realizuar xhiro mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026. Detyrimi lind vetëm kur tejkalohet pragu i ri pas hyrjes së tij në fuqi, ndërsa kërkesa për regjistrim duhet të paraqitet brenda 15 ditëve nga tejkalimi.
Në mungesë të një dispozite të shprehur kalimtare që parashikon efekt prapaveprues ose regjistrim automatik mbi bazën e xhiros së vitit 2026, sipas Saraçit, administrata tatimore nuk mund ta vendosë këtë detyrim vetëm për shkak të tejkalimit të pragut të ri gjatë një periudhe kur ai nuk ishte ende në fuqi. Për të argumentuar qëndrimin e tij, audituesi i referohet nenit 122 të ligjit nr. 92/2014, sipas të cilit detyrimi për regjistrim lind kur qarkullimi tejkalon pragun minimal ligjor.
“Për pragun e regjistrimit në TVSH (nga 10 mln në 5 mln lekë) – VKM nr. 822, datë 28.10.2026, ka ndryshuar pragun minimal të regjistrimit në TVSH me efekt nga 1 janari 2027. Ky ndryshim nuk duhet të interpretohet si detyrim për regjistrimin automatik, më 1 janar 2027, të të gjithë personave që kanë realizuar xhiro mbi 5 mln lekë gjatë vitit 2026.
Sipas nenit 122 të ligjit nr. 92/2014, detyrimi për regjistrim lind kur qarkullimi tejkalon pragun minimal të regjistrimit dhe kërkesa për regjistrim duhet të paraqitet brenda 15 ditëve nga data e kalimit të tij. Për rrjedhojë, deri më 31 dhjetor 2026, pragu ligjor mbetet 10 mln lekë, ndërsa pragu i ri prej 5 mln lekësh duhet të zbatohet për periudhën që fillon më 1 janar 2027, duke u bazuar në qarkullimin sipas rregullave ligjore në fuqi nga kjo datë”, argumenton Saraçi.
Pragu i regjistrimit në TVSH ka ndryshuar 7 herë në 30 vite
Gjatë 30 viteve të ekonomisë së lirë të tregut, pragu i patatueshëm për regjistrimin e bizneseve në TVSH ka ndryshuar 7 herë. Për herë të parë, ky prag u vendos në vitin 1996, në nivelin 2 milionë lekë, dhe qëndroi i pandryshuar deri më 31 janar 1998.
Deri në vitin 2021, niveli i pragut ndryshoi edhe pesë herë të tjera. Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2026, pragu u rrit në 10 milionë lekë. Së fundi, duke filluar nga 1 janari 2027, pragu i regjistrimit në TVSH parashikohet të ulet në 5 milionë lekë, duke përfshirë potencialisht një numër më të madh biznesesh të vogla në këtë regjim tatimor.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)